PRIVATËSIA
Politika e privatësisë
hack.al nuk kërkon llogari për të lexuar lajmet dhe nuk shet të dhëna. Këtu shpjegojmë çfarë ruhet, ku dhe pse.
Përditësuar më 22 nëntor 2026. Vlen për faqen hack.al dhe për aplikacionin hack.al.
Çfarë mbetet në pajisjen tënde
Këto ruhen vetëm në shfletuesin ose telefonin tënd dhe nuk dërgohen te ne:
- Gjuha që zgjodhe (shqip ose anglisht), në një cookie që zgjat një vit.
- Lajmet e ruajtura, lajmet që ke parë (që të të shfaqim të rejat në fillim) dhe temat për të cilat ke kërkuar “më pak si kjo”.
- Tema e errët ose e çelët dhe pamja e zgjedhur (feed ose rrjetë).
- Në aplikacion: temat që ndjek dhe orari i njoftimeve. Njoftimet përgatiten në telefon; nuk ruajmë asnjë token njoftimi në server.
Mund t’i fshish kur të duash duke pastruar të dhënat e faqes në shfletues ose duke fshirë aplikacionin.
Statistikat e vizitave
Në faqe përdorim Google Tag Manager për statistika të përgjithshme (sa vizita, cilat faqe lexohen më shumë). Google mund të vendosë cookie-t e veta për këtë; ato përpunohen sipas politikës së privatësisë së Google. Nuk i përdorim për reklama të personalizuara.
Lajmet nga burime të tjera
Shumë lajme vijnë nga media të tjera dhe lidhen me faqet e tyre. Kur hap një lidhje të tillë, zbatohet politika e privatësisë e asaj faqeje. Fotot e lajmeve mund të ngarkohen nga serverët e burimit ose të shërbimeve të fotove.
Rrjetet sociale
hack.al publikon lajme në faqet e veta në Facebook dhe rrjete të tjera përmes aplikacionit tonë në Meta. Ky aplikacion përdoret vetëm nga redaksia për të publikuar në faqet që administrojmë; nuk lexon dhe nuk ruan të dhëna të lexuesve ose të ndjekësve.
Llogaritë e redaksisë
Vetëm anëtarët e redaksisë kanë llogari, për panelin e administrimit. Për ta ruajmë emrin, email-in, fjalëkalimin të koduar (jo vetë fjalëkalimin) dhe një cookie hyrjeje.
Fshirja e të dhënave
Lexuesve nuk u ruajmë të dhëna personale në serverët tanë, prandaj nuk ka llogari për të fshirë. Nëse na ke shkruar me email dhe do që ta fshijmë korrespondencën, ose ke ndonjë pyetje për privatësinë, shkruaj te [email protected].